“Shteti ynë ka rrënjë të thella në vlerat evropiane. Shtetndërtimi ynë është bazuar mbi parimet e larta të demokracisë, në respekt të lirive dhe të drejtave dhe në barazinë e të gjithë njerëzve që jetojnë këtu. E ardhmja e Kosovës është e sigurt, si pjesë e pandashme dhe e barabartë e Evropës”, tha Jahjaga.
Ajo theksoi se “rruga e qartë evropiane për të gjithë rajonin, do të krijojë stabilitet të plotë në këtë pjesë të Evropës dhe do të ndihmojë në ndërtimin e urave të miqësisë mes popujve”.
“Pavarësia e Kosovës, shtetit më të ri në hartën e Evropës, është shndërruar në një faktor paqeje dhe stabiliteti. Vendi ynë është promovues i fqinjësisë së mirë mes vendeve të Evropës Juglindore dhe një shtytës i fuqishëm i reformave demokratike në rajon. Shteti demokratik i Kosovës po ndërtohet mbi parimet e fuqishme të rendit dhe të sundimit të ligjit”, vijoi Jahjaga.
Sipas saj “diversiteti etnik, fetar e kulturor është vlerë në Kosovë”. “Prej sot po marrim përgjegjësinë e plotë për të gjitha çështjet brenda vendit, duke qenë të gatshëm për të çuar përpara të gjitha proceset dhe për të garantuar vlerat tona të përbashkëta historike, kulturore e fetare. Po hapim mundësi të reja për zhvillimin e përgjithshëm të vendit tonë, mundësi për investime të jashtme, duke garantuar sigurinë dhe mirëqenien e secilit. Synimi ynë është krijimi i një shteti të begatë dhe një tregu të lirë, ku secili të ketë mundësinë për të kontribuar dhe ku secili ta shohë të ardhmen e vet.
Subscribe to email feed



