Pages

Banner 468

Friday, September 14, 2012

Rita ora mund te behet ambasadore nderi e kosoves.

 
...( Zeri Shqipe )...
Download Upload Watch Video and Photo All for Free 100%


Sensacioni i skenës së muzikës botërore, kosovarja Rita Ora, ka bërë bujë edhe në Kuvendin e Kosovës. Ardhja e Ritës në Kosovë për të xhiruar videoklipin e këngës së saj “Shine your light” në shumë vende të kryeqytetit të Kosovës dhe buja ndërkombëtare e kësaj vizite ka bërë që deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, të flasë për këtë para kolegëve të saj gjatë seancës të së enjtes. Anëtarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, u ka treguar kolegëve të saj sesi Rita Ora me ardhjen e saj në Kosovë ka dëshmuar kujdesin ndaj popullit dhe shtetit të saj. Deliu-Kodra ka përmendur edhe bujën që kjo vizitë e Ritës ka bërë në mediat ndërkombëtare. Kësisoj, sipas deputetes, Rita Ora duhet të bëhet ambasadore nderi e Kosovës.
“Rita i bëri nder Kosovës në fushën e diplomacisë publike dhe me plot të drejtë ajo mund të quhet ambasadore nderi e Kosovës”, ka thënë Deliu-Kodra. Ish – studentja e Fakultetit të Arteve dhe ish- gazetarja që është bërë politikane ka thënë se si Rita Kosova ka plot. “Njëjtë si Rita mund të quhen dhe të emërohen edhe shumë artistë e sportistë të tjerë me famë botërore të cilët vend të origjinës e kanë Kosovën”, ka thënë Deliu-Kodra.
Ajo ka përmendur shembullin e Qeverisë së Shqipërisë që pati nderuar këtë vit, aktoren shqiptare Eliza Dushku me titullin ambasadore nderi.
“Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për përmirësim të imazhit të saj ndërkombëtare”, ka thënë ajo.
Ambasadorë nderi në Kosovë mund të emërojë Presidenca e Kosovës. Ndërsa konsujt e nderit i emëron Ministria e Punëve të Jashtme.
I pari i kësaj ministrie, Enver Hoxhaj, i ka thënë gazetës se MPJ-ja nuk ka sponsorizuar realizimin e vizitës së Ritës në Kosovë, por kjo ministri është në kontakt me këngëtaren.
“Përveç Rita Orës jemi në kontakt me disa shkrimtarë, këngëtarë e artistë që jetojnë jashtë e të cilëve u janë sponsorizuar ngjarjet që i kanë zhvilluar jashtë”, ka thënë Hoxhaj. Sipas tij, Kosova deri më tani ka shtatë konsuj nderi të cilët i përkasin fushave të ndryshme, ndërkohë që po pritet edhe emërimi i 23 të tjerëve të cilët do të përfaqësonin interesat e qytetarëve të Kosovës.
“Por mbi të gjitha, konsujt e nderit merren me promovimin dhe bashkëpunimin e Kosovës me shtete të tjera në fusha të ndryshme. Ka edhe artistë”, ka thënë Hoxhaj. Ministri ka thënë se konsujt e nderit janë të profileve të ndryshme si politikanë, biznesmenë, por mund të jenë edhe njerëz të kulturës. Sipas tij këta konsuj do të ndryshojnë imazhin e Kosovës jashtë duke marrë pjesë në debate, forume e duke bërë shkrime të ndryshme. Edhe deputetja Deliu-Kodra ka vlerësuar pozitivisht këtë hap të MPJ-së. Ajo ka përmendur edhe dy marrëveshje që kjo ministri ka nënshkruar me Japoninë dhe Gjermaninë.
Ministri Hoxhaj i ka thënë gazetës se këto dy marrëveshje kanë rëndësi të madhe.
“E para, ajo me Japoninë ka një akt të rëndësishëm kulturor që flet për dhurimin e disa instrumenteve për Orkestrën e Filarmonisë së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj. Ndërsa marrëveshja me Gjermaninë është në fushën e shkëmbimeve akademike në fushën e arsimit, ku hyn edhe kinematografia dhe media.
”Marrëveshja me Gjermaninë është një marrëveshje kornizë në fushën e arsimit në bashkëpunim të ndryshëm edhe në arkeologji, kinematografi dhe dorëshkrimet”, ka thënë Hoxhaj.